image Aktakuza ndaj Zenun Elezajt: Komisioni që formoi vetë, zgjodhi vajzën e tij si më të suksesshmen për të punuar në QKMF në Klinë

Kosovë

Drejtësi/ Aktakuza ndaj Zenun Elezajt: Komisioni që formoi vetë, zgjodhi vajzën e tij si më të suksesshmen për të punuar në QKMF në Klinë

news image

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj. Aktakuza është ngritur lidhur me punësimin e vajzës së Elezajt në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë. Ai dyshohet për veprën penale të konfliktit të interesit.

Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën e këtij rasti në të cilën thuhet se kryetari Elezaj, edhe pse e ka ditur që vajza e tij ka aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare-administrative. Komisioni të cilin sipas aktakuzës e ka formuar vetë ai për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin publik për këtë pozitë, e ka përzgjedhur vajzën e Elezajt si më të suksesshmen nga kandidatët e tjerë.

“Me dt.20.02.2018 në Klinë si person zyrtar në cilësi e kryetarit të Komunës së Klinës, edhe pse e ka ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare-administrative duke marr vendim me nr. 112-891-2018 dt. 20.02. 2018 me të cilin ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin publik me dt.20.02.2018, për pozitën “Mjek i praksës së përgjithshme” (një ekzekutuese), në atë mënyrë që komisioni në fjalë e ka përzgjedhur vajzën e të pandehurit si më të suksesshmen duke e punësuar të njëjtën si mjeke e praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, në Klinë”, thuhet në aktakuzën ndaj Zenun Elezajt.

Lidhur me aktakuzën që i është ngritur, Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një koment nga kryetari Zenun Elezaj, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/