Sot, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka publikuar të plotë në gjuhën shqipe aktakuzën ndaj tyre.
Në aktakuzë thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë. Kjo sjellje, prokuroria vlerëson se tregon qartë synimin dhe motivin e tyre “për të dëmtuar dhe penguar procedurat e DhS-së”.
“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale ‘Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare’, ‘Frikësimi gjatë procedurës penale’, ‘Hakmarrja’, ‘Shkelja e fshehtësisë së procedurës’. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuzën e plotë mund ta gjeni KËTU./Gazeta Sinjali/