Aksioni i Antidrogës për arrestimin e një personi në parkingun përballë qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë u përcollë me incidente. Policia dyshohet se shtiu me armë zjarri, ndërkohë që dy persona arritën të iknin nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dyshohet se personat që kanë ikur kishin me vete sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike të llojit kokainë.
Teksa të dyshuarit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, për t’iu shpëtuar prangave të Policisë, një zyrtare policore është lënduar.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për K.I., me gradën e rreshterit (emër i njohur për redaksinë), e cila ka marrë lëndime në këmbë si pasojë e goditjes nga vetura.
Të njëjtat burime thonë se fatmirësisht lëndimet janë të lehta dhe nuk bëhet fjalë për lëndime serioze.
Sinjali ka kontaktuar Policinë e Kosovës në lidhje me rastin mirëpo deri në publikimin e artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.
Sinjali do të iu mbajë të informuar.