image Aksioni ‘Swis’: Ky është i dyshuari që iu gjet rreth gjysmë kg kokainë në shtëpinë e tij në Gjakovë

Siguri

Aksioni ‘Swis’: Ky është i dyshuari që iu gjet rreth gjysmë kg kokainë në shtëpinë e tij në Gjakovë

news image

Gazeta Sinjali raportoi të enjten ekskluzivisht për operacionin policor të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të asistuar nga njësitet relevante policore, që u zhvillua në disa lokacione në Prizren dhe Gjakovë. Rasti i koduar si ‘Swis’ rezultoi me identifikimin e disa të dyshuarve për shitblerje dhe shpërndarje të drogës. Dy persona u arrestuan dhe u konfiskua rreth gjysmë kg kokainë.

Tre personat që ishin cak i Antidrogës janë Kushtrim Bytyqi, pronar i lokalit ‘Swiss’, Enis Shtavica dhe Sefë Fetoshi. Ky i fundit, pronar i ‘Velunia Club’ në Prizren ndodhet akoma në arrati, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar.

Nga Prokuroria Themelore në Prizren është bërë me dije se droga është gjetur në shtëpinë e të dyshuarit Shtavica, në Gjakovë.

“Pas zhvillimit të urdhër – kontrollit në shtëpitë dhe pjesët përcjellëse të tyre, pronë e të dyshuarve, K.B., E.Sh., dhe S.F., në shtëpinë e të dyshuarit E.Sh., policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit “Kokainë”me peshë rreth 500 gr. Ndërsa në lokalin e të pandehurit K.B., është gjetur dhe sekuestruar një (1) pistoletë e llojit “TT”dhe rreth pesëdhjetë (50) fishekë.” – thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, Bytyqi dhe Shtavica janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit, do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. 

Ndërsa, për të dyshuarin Fetoshi, Prokuroria ka njoftuar se në bashkëpunim me policinë, “janë duke kryer hetime intensive për kapjen e tij.“

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/