Policia e Kosovës gjatë mëngjesit të së shtunës ka njoftuar se është duke kryer një aksion policor në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar para mediave se bastisjet janë kryer në shtatë lokacione të ndryshme në veri.
Elashani deklaroi se në një podrum në vendin e njohur si “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut, janë gjetur armë, mjete eksploduese dhe pajisjet e tjera..
“Bastisjet janë kryer në katër lokacione në Mitrovicë të Veriut, tre në Zveçan dhe një në Banjskë. Tani ekipi i EOD i KFOR-it është në pritje”.
I pyetur nëse ka ndonjë të arrestuar, Elshani ka thënë vetëm se për çdo zhvillim rreth këtij operacioni “do të njoftoheni me kohë”.
Policia e Kosovës, që pas sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku, ka kryer disa bastisje që lidhen me sulmin terrorist.