image Aksion i Antidrogës: Kapen rreth 40 kg marihuanë, një i arrestuar

Siguri

Aksion i Antidrogës: Kapen rreth 40 kg marihuanë, një i arrestuar

news image

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion për arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës, i cili ishte objekt hetimi i hetuesve policorë nga Sektori Qendror i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Si rezultat i hetimit, sot u realizua operacioni policor, që rezultoi me konfiskimin e rreth 40 kg marihuanë dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Sot, më 05.01.2023, rreth orës 17:08, është arritur të lokalizohet dhe identifikohet një i dyshuar i përfshirë në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. Hetuesit policorë, në koordinim me organet e drejtësisë kanë realizuar Planin Operativ ‘Mjegulla’, gjatë realizimit të së cilit, në flagrancë është arrestuar i dyshuari: N.B., (viti i lindjes 1986, mashkull kosovar), i cili po transportonte me një veturë me targa vendore, substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.”.

Vlera e drogës që u kap sot sipas Policisë është rreth 80 mijë euro.

“Gjatë kontrollimit të veturës janë gjetur rreth 40 kg substancë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, e ndarë në 40 paketime të mbështjella me qese plastike. Vlera e kësaj sasie sillet rreth 80 mijë euro dhe dyshohet se vendi ynë ishte transit i kalimit të kësaj sasie, kurse destinacion final ishin vendet e perëndimit.

Personi i dyshuar është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.”

/GazetaSinjali/