image Aksioni kundër fajdes në Prizren: Të dyshuarit i kanë dhënë para viktimës me kamatë mujore 25%

Siguri

Aksioni kundër fajdes në Prizren: Të dyshuarit i kanë dhënë para viktimës me kamatë mujore 25%

news image

Policia e Kosovës e ka konfirmuar aksionin e zhvilluar në Prizren nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, që rezultoi me arrestimin e tre personave. Gjatë zbatimit të operacionit policor, janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi ekskluzivisht se tre të arrestuarit janë Jeton Thaqi, Istref Thaqi dhe djali i tij, Ardiani.

Nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë zbuluar se tre anëtarët e familjes Thaqi nga fshati Caprac i Prizrenit dyshohen se i kanë dhënë para viktimës me kamatë mujore 25%.

“Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 25%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i pagaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.”

Kontrolli është realizuar në rajonin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore, të dyshuarit janë arrestuar.

Gjatë këtij aksioni, janë sekuestruar dy automjete, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale.

Të dyshuarit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/