image Aksioni i Policisë në Prizren ku u arrestuan 6 persona për drogë: Konfiskohen armë, telefona e para

Siguri

Aksioni i Policisë në Prizren ku u arrestuan 6 persona për drogë: Konfiskohen armë, telefona e para

news image

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi disa mujor zhvilloi dje një aksion në rajonin e Prizrenit, ku u bastisën disa lokacione.

Aksioni rezultoi me arrestimin e gjashtë personave, si të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal dhe shitblerje e shpërndarje të drogës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi ekskluzivisht se emrat e gjashtë personave të cilët u arrestuan në këtë aksion ishin: Shpejtim Kabashi, Kenan Mazrek nga Mamusha, Alban Krasniqi, Adil Morina, Gazmend Hyseni dhe Naser J.

Lidhur me këtë aksion, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar katër armë të ndryshme, disa fishekë, telefona e para.

“Gjatë kontrollit në pesë lokacione të ndryshme si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: katër armë të ndryshme, 140 copë fishekë kalibra të ndryshëm, 5 telefona, një DVR, 100 dollarë, 1740 €, 100 dinarë të Serbisë, sasi e konsiderueshme të barnave ilegale të ardhura nga Shqipëria me vlerë 20 000€ si dhe dokumente tjera që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

Nga Prokuroria Speciale bënë me dije veprat me të cilat ngarkohen të dyshuarit që u kapën.

“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjashtë persona mbi bazën e dyshimit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 par. 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së.” – njoftoi Prokuroria.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/