Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për arrestimin e një personi i cili dyshohet për falsifikim dokumentesh, mashtrim e prezantim i rremë si person zyrtar i AKP-së.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Gazetën Sinjali se i arrestuari është Shaban Muja i cili pas intervisimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale.
Sipas Prokurorisë ai dyshohet se ka kryer veprat falsifikimi i dokumenteve, mashtrim dhe prezantimi i rremë si person zyrtar.
Sipas pretendimeve ky i bënte me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumente të rrejshme dhe duke përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të AKP-së, kinse si person zyrtar i autorizuar nga kjo Agjenci, nga viti 2019 e deri në vitin 2022, ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi, ku me këto veprime i dyshuari ka kryer veprat penale të lartcekura.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.