Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet në komunikacion në rajonin e Gjakovës, ku gjatë 10 ditëve të fundit ka zbuluar një numër të madh të shkeljeve të rregullave të trafikut.
Në kuadër të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka realizuar 1 mijë e 892 teste për alkool te drejtuesit e automjeteve.
Nga këto kontrolle, 123 shoferë kanë rezultuar se drejtonin nën ndikimin e alkoolit, ndaj të cilëve janë ndërmarrë masat ligjore, përfshirë konfiskimin e patentë-shoferëve.
Gjatë aksionit, policia ka shqiptuar gjithsej 1 mijë e 580 gjoba për shkelje të ndryshme në trafik, ndër to tejkalime të rrezikshme, tejkalim të shpejtësisë, përdorim të telefonit gjatë vozitjes dhe mosrespektim të rregullave të tjera të sigurisë.
Përveç kundërvajtjeve në trafik, gjatë kontrolleve janë evidentuar edhe raste të tjera penale, përfshirë dy raste të posedimit të dyshuar të narkotikëve dhe një rast të armëmbajtjes pa leje.
Policia ka bërë apel ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë sezonit veror, duke theksuar se vozitja nën ndikimin e alkoolit mbetet një nga faktorët kryesorë që rrezikon jetën në rrugë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!