Policia Rajonale në Prizren bashkë me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka zhvilluar sot aksion në Prizren, që rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për fajde, raporton Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit që përfunduan në prangat e Policisë janë F.K., rreth 29-vjeçar dhe B.K., rreth 51-vjeçar.
Ata dyshohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë kanë kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
Gjatë operacionit policorm në automjetin e njërit prej të dyshuarve është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë dhe mbi 10 fishekë.
Po ashtu, janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet e tjera përcjellëse të të dyshuarve në dy lokacione të ndryshme në Prizren, ku po ashtu janë sekuestruar edhe një pushkë, mbi 40 fishekë. si dhe dy automjete që dyshohet të kenë lidhje me rastin.
Ndaj të dyshuarve, pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.