Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Gjakovë, ku është arrestuar një person i kërkuar me urdhëresë gjyqësore për vuajtje të dënimit.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari S.LL ishte dënuar me dy vite burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dënuari nuk ishte paraqitur vullnetarisht për të vuajtur dënimin, duke bërë që Policia e Kosovës, përmes Njësisë për Ndërlidhje me Gjykatat në Gjakovë, të ndërmarrë veprime operative dhe hetimore për lokalizimin e tij.
“Meqenëse i dënuari nuk e kishte respektuar urdhëresën për t’u paraqitur për ta vuajtur dënimin, me kërkesë të gjykatës, zyrtarët policorë kanë zhvilluar një punë intensive operative dhe hetimore. Si rezultat, ata kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta arrestojnë personin, i cili tashmë është dërguar për vuajtjen e dënimit në institucionin korrektues përkatës”, thuhet në njoftim.
Pas identifikimit dhe arrestimit, ai është dërguar në institucionin korrektues për të vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!