image Aksion në Prishtinë e Ferizaj, sekuestrohen 60 kilogramë marihuanë - arrestohen katër persona

Siguri

Aksion në Prishtinë e Ferizaj, sekuestrohen 60 kilogramë marihuanë – arrestohen katër persona

news image

Foto ilustruese


Rreth 60 kilogramë substancë narkotike e dyshuar të llojit marihuanë janë sekuestruar dhe katër persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), raporton Sinjali.

Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, në dy lokacione: në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt.

Lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të dyshuar, prej të cilëve një shtetas i Republikës së Kosovës, dy shtetas të Republikës së Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragrafi 3 lidhur me nenin 275 paragrafi 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe dy vetura dhe një kamion.

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/