image Aksion në Pejë e Gjakovë, gjashtë të arrestuar për fajde

Siguri

Aksion në Pejë e Gjakovë, gjashtë të arrestuar për fajde

news image

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se bashkë me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Prishtinë, dje dhe sot ka arrestuar 6 persona të dyshuar për fajde.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria në Pejë përmes një njoftimi për media.

“Pesë persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit në kompetencën territoriale të Prokurorisë Themelore të Pejës, ndërsa një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit në kompetencën territoriale të Prokurorisë Themelore të Gjakovës”.

Nga Prokuroria kanë njoftuar edhe për kontrollin e disa lokacioneve, ku u sekuestruan vetura, para e dokumente.

“Gjatë fazës hetimore, janë kontrolluar disa lokacione në Pejë, Deçan dhe Gjakovë, nga të cilat janë sekuestruar katër vetura, telefona, dokumente, armë, para dhe prova tjera, si dhe janë bllokuar disa xhirollogari bankare të dyshuarave për shkak të fajdeve.

Ky rast ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë raportuar personat e dyshuar që merren me veprimtarin e fajdesë”.

/GazetaSinjali/