Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në zonën kufitare të Bërnjakut, pas dyshimeve për kontrabandim me mallra.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është realizuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ku zyrtarët policorë kanë lokalizuar një automjet të tipit “Audi” me targa të huaja, i cili ishte i ndaluar dhe pa vozitës. Dyshohet se ky automjet ishte përdorur për kontrabandimin e mallrave.
Gjatë kontrollit të një objekti dhe hapësirës përreth tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar 5 mijë e 550 boksa cigare të llojeve të ndryshme. Po ashtu, në afërsi të objektit janë gjetur edhe 19 paketa cigaresh, të dyshuara si të kontrabanduara.
Për rastin është intervistuar një person në cilësinë e dëshmitarit, i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë këtij operacioni është ndaluar edhe një kamion me targa të huaja, i cili ishte në lëvizje dhe transportonte materiale metalike. Sipas Policisë, drejtuesi i kamionit nuk kishte dokumentacionin përkatës për këto materiale.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kujdestar, ndërsa Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallrat dhe dy automjetet për procedura të mëtejshme.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti i është kaluar për trajtim Doganës së Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!