Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion kundër drogës në Ferizaj, me ç’rast ka rezultuar me arrestimin e një personi dhe konfiskimin e rreth 15 qeseve me një sasi të kokainës dhe marihuanës, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi i arrestuar është R.G., me profesion frizer, i cili u arrestua nga Policia në rrugën “Besim Rexhepi”, nën dyshimet se posedon substanca narkotike.
Lidhur me këtë rast, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake është zhvilluar bastisje në dy lokacione, në lokalin e të dyshuarit, si dhe në shtëpinë e tij, ku u gjetën dhe u konfiskuan 10 qese me kokainë, disa qese me marihuanë, pajisje për përpunimin e narkotikëve, telefona, e para të gatshme.
Pas përfundimit të bastisjeve, Policia ka intervistuar personin e dyshuar dhe disa dëshmitarë, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve.