image Aksion i Policisë në disa lokacione në Prizren, kapen katër hajnat e grabitjes së armatosur

Siguri

Aksion i Policisë në disa lokacione në Prizren, kapen katër hajnat e grabitjes së armatosur

news image

Një aksion i Policisë i zhvilluar në disa fshatra të Prizrenit ka rezultuar me arrestimin e hajnave që po kërkoheshin për një rast të grabitjes. Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për grabitjen e armatosur të kryer në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’, në Prizren.

Pas më shumë se një muaji në arrati, Policia ka arritur t’ua vë prangat katër të dyshuarve që terrorizuan punëtorët e këtij biznesi dhe vodhën shumën e të hollave prej 600 eurove.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se arrestimi i të dyshuarve erdhi pas bastisjeve që u kryen në lagjen ‘Bajram Curri’, Dobrusht dhe Vlashnje, gjatë ditës së premte.

Përveç që u kapën të dyshuarit, Hetimet Rajonale kanë gjetur prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në rast.

Gjatë aksionit që u zhvillua në këto lokacione, Sinjali mëson se u gjetën veshmbathjet e të dyshuarve, të cilat i kanë pasur të veshura gjatë kryerjes së grabitjes dhe ndërlidhen me pamjet e siguruara për rastin.

Por si ndodhi rasti?

Gazeta Sinjali më 13 qershor ka publikuar detajet e grabitjes. Ngjarja kishte ndodhur më 12 qershor rreth orës 21:30 në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren.

Punëtorët e marketit kanë qenë duke punuar kur janë ballafaquar me të dyshuarit e maskuar, të cilët nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin rreth 600 euro nga arka.

Pasi kryen këtë veprim, hajnat kishin ikur nga vendi i ngjarjes për një drejtim të panjohur.

/GazetaSinjali/