image Aksion i gjerë në Zubin Potok: Policia sekuestron arsenal armësh në tri lokacione

Siguri

Aksion i gjerë në Zubin Potok: Policia sekuestron arsenal armësh në tri lokacione

news image

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në tri lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera të dyshuara ilegale.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë zhvilluar pas informatave të pranuara nga qytetarët për dyshime mbi mbajtjen e mjeteve të paligjshme në disa objekte në zonë.

Në fshatin Presek, gjatë kontrollit në një objekt ndihmës (shtallë për bagëti), policia ka gjetur një pushkë të tipit M48, karikatorë të armëve të gjata, mbi 150 fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe pajisje të tjera, përfshirë elemente të uniformës kamuflazhi dhe mjete ndriçuese.

Në një rast të dytë, në të njëjtin fshat, janë sekuestruar një tjetër pushkë M48 dhe qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndërsa në rastin e tretë në fshatin Qeçevë është zbuluar një sasi tjetër armësh, municioni, pajisje për mbushjen e fishekëve, barut dhe sfera metalike.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që informacionet e ngjashme të raportohen në numrin emergjent 192.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/