Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka zhvilluar sot një aksion në Prishtinë që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar dhe sekuestrimin e një sasie të drogës, që kap vlerën e rreth 57 mijë eurove në tregun vendor. I dyshuari është arrestuar në rrugën UÇK, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari, B.S., u ndalua teksa ishte në lëvizje me një automjet të tipit Audi me targa të RKS-së, ku pas kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar shtatë (7) paketime të vogla me peshë rreth (4) gram (e dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë).
Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Antidroga ka realizuar një operacion kontrolli edhe në shtëpinë dhe banesën e personit të dyshuar në Prishtinë.
Gjatë bastisjes të kontrollit në banesën e të dyshuarit të lartcekur janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale:
- Substanca narkotike e dyshuar se është kokainë, e ndarë në disa pjesë, me peshë të përbashkët rreth (570) gram, me vlerë tregu vendor rreth (57,000) Euro.
- Tri (3) peshore digjitale,
- Njëmijë (1000) Euro, para kesh,
- 18 Dollar amerikan,
- 160 Franga zvicerane,
- 20 Funta angleze,
- 20 dinar serb,
- Dy (2) telefona dhe
- Një (1) Automjet e tipit Audi.