Rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion është ngritur si një shqetësim i madh në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për aksidente të shumta dhe në shumicën prej këtyre rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve dhe shkeljes së rregullave, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident i rëndë ka ndodhur edhe të martën, në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Lipjan, ku një motoçiklist u godit nga një furgon.
Sinjali ka mësuar se shoferi që drejtonte motoçikletën është një zyrtar policor, 27-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, polici ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e goditjes dhe menjëherë është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Lidhur me rastin, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Shoferi i furgonit është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.