image AKR-ja beson se janë manipuluar votat nga komisionerët, kërkon rinumërim në listën e LDK-së

AKR-ja beson se janë manipuluar votat nga komisionerët, kërkon rinumërim në listën e LDK-së

news image

Aleanca Kosova e Re vlerëson lartë organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 14 shkurtit, por beson se janë manipuluar votat në këtë parti që ishte në listë zgjedhore me Lidhjen Demokratike. AKR-ja ka kërkuar madje rinumërim të të gjitha fletëvotimeve në Kosovë.

Sipas AKR-së, procesi zgjedhor në numrin e votave të partive politike ka shkuar në rregull deri në momentin kur ka filluar të numërohen votat për kandidatët për deputet.

Rinumërimi i votave në të gjitha kutitë e votimit, brenda partive në rastin tonë brenda listës së LDK-së, ku pjesë e kësaj liste janë edhe kandidatët e AKR-së, të dala nga procesi zgjedhor i 14 shkurtit, është i pashmangshëm. Shumë informata që kanë arritur nga terreni tregojnë qartë se rezultatet brenda listës janë manipuluar nga Komisionerët e papërgjegjshëm në Qendrat e votimit”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Andaj, sipas AKR-së, për një garë fer e korrekte është shumë logjike që duhet të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në listën e LDK-së.

Andaj AKR, edhe një herë kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm kutit e votimit, ku manipuluesit e votave nuk kanë qenë të aftë të fshehin krimin e tyre. Aleanca Kosova e Re, këtë kërkesë do ta mbështesë edhe me faktet që janë mbledhur përmes anëtarëve të vet të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve brenda listës”, thuhet në reagim.

AKR-ja beson se rinumërimi i plotë i fletëvotimeve do të eliminonte edhe pakënaqësitë që tashmë kanë filluar të dalin në shesh nga kandidatët dhe ankesat e tyre për manipulim të votave të brendshme.

“Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR, duke ndërmarr kështu të gjitha masat ligjore, që vota e qytetarëve të besuar për kandidatët për deputet të mos manipulohet”, thuhet tutje në reagimin e AKR-së./GazetaSinjali/