image AKK-ja ushtron kallëzim penal për korrupsion ndaj disa zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe ministra

Drejtësi

AKK-ja ushtron kallëzim penal për korrupsion ndaj disa zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe ministra

news image

Agjencia Kundër Korrupsion ka bërë kallëzim penal për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në Prokurori për mbi 90 raste, prej tyre 18 raste janë për zyrtarë të lartë ku bëjnë pjesë ministra, ish-ministra, sekretarë të përhershëm dhe drejtorë të kompanive publike.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli në një intervistë për KosovaPress, tha se kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë se 90 raste, por që tregon se janë duke punuar ngushtë me prokurorinë sa i përket këtyre rasteve të korrupsionit.

Kemi të bëjmë me raste ku janë ushtruar kallëzime penale ndaj ministrave, ndaj (shefave) kabineteve qeveritare, ndaj drejtorëve të kompanive publike, ndaj asamblistëve të ndryshëm, sekretarëve permanent e shumë nivele të larta që agjencia ka ushtruar kallëzim penal lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare. Por, detajet do të jenë në raportin vjetor të Agjencisë ku janë të specifikuara edhe natyra e rasteve dhe shkaqet e ushtrimit të këtyre kallëzimeve penale. Nëse flasim konkretisht për rastet, atëherë do të bëjmë publike edhe akterët kryesorë të këtyre, nuk do të kisha thënë të flasim konkretisht për rastet, sepse edhe Ligji mbi Agjencinë e ndalon këtë”, thotë Havolli.

Kreu i AKK-së thekson se natyra e korrupsionit në nivel të lartë ka të bëjë për çështje të ndikimeve politike, për tenderë, nepotizëm dhe abuzimit me paranë publike.

Dihet natyra për çka ne kemi penalizuar këta zyrtarë të lartë, duke filluar nga raportet e auditimit dhe çështje të prokurimit, çështje të punësimeve, ndikimeve politike, abuzimi dhe nepotizmi, si dhe forma të ndryshme që më shumë detaje do t’i keni në raportin vjetor”, thekson ai.

Drejtori Havolli ka folur edhe për procesin e deklarimit të pasurisë që këtë vit ka nis të bëhet në sistemin online për shkak të pandemisë.

Deklarimi filloi nga 1 marsi dhe përfundon më 31 të këtij muaji, ku obligim ligjor për ta deklaruar pasurinë kanë 4 mijë e 880 zyrtarë të lartë.

Havolli thotë se në dy javët e para, është një numër shumë i vogël i zyrtarëve të lartë që kanë deklaruar pasurinë, vetëm 470 zyrtarë.

Për këtë Havolli ka kërkuar nga zyrtarët që mos të presin deri në fund të muajt, për të mos shkaktuar, siç tha ai probleme në sistemin e online. /Gazeta Sinjali/