Asociacioni i Komunave të Kosovës, sot njoftoi se gjatë takimit me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, është aprovuar kërkesa e komunave për lehtësimin e masave.
Në postimin e bërë në rrjetin social “Facebook”, AKK njoftoi se lokalet do të lejohen të punojnë deri në orën 24:00, dhe se pritet lejimi i organizimit të dasmave nga 15 qershori.
Por, vetëm pas disa minutash AKK ka ndryshuar njoftimin lidhur me këto të dhëna. Në njoftimin e ndryshuar thuhet se lokalet do të punojnë deri në orën 23:00, ndërsa pjesa e organizimit të dasmave është hequr krejtësisht nga njoftimi.
Po ashtu, sot në ora 16:30 do të mbahet konferencë e përbashkët në Ministrinë e Shëndetësisë, ku do të publikohet vendimi i Qeverisë në lidhje me masat.