Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit në parti.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se kërkon zgjedhje brenda partisë, kërkesë e cila është pranuar.
Ahmeti ka njoftuar ai nuk do të kandidojë për asnjë pozitë. Shkak për dorëheqjen, sipas tij janë rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe angazhimi në komunë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Natyrisht se përgjegjësia më e madhe është e imja si kryetar i subjektit. Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar i subjektit kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD si organ më i lartë vendimmarrës në subjekt. Meqenëse edhe Statuti i PSD kërkon mbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjeve nacionale për Kuvendin e Kosovës, sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti”, ka shkruar Ahmeti.
Deri në përfundim të mandatit si kryetar i kryeqytetit, Ahmeti thotë se do të mbetet vetëm në krye të Komunës së Prishtinë.
“Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti. E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës. Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë insitucion tjetër duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti.
Ai u ka uruar suksese kryetarit të ardhshëm dhe organeve të reja drejtuese që do të vihen në krye të partisë. /Gazeta Sinjali/