image Ahmeti tregon se cilat media do të përfitojnë subvencione nga Komuna e Prishtinës

Kosovë

Ahmeti tregon se cilat media do të përfitojnë subvencione nga Komuna e Prishtinës

news image

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është hapur aplikimi për grante për përkrahjen e mediave, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, ndarja e subvencioneve bëhet në bazë të madhësisë së mediumit dhe numrit të punëtorëve të ndara në tri kategori.

Vlera e këtij projekti është rreth 100 mijë euro.

“Duke qenë se mediat janë ndër elementet më të rëndësishme të demokracisë, në këtë kohë të pandemisë duhet të përkrahen ashtu që të mundësohet dhe ndihmohet funksionimi i tyre”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se aplikimi është i hapur nga 1 deri më 8 dhjetor 2020.

Njoftimi i plotë:

THIRRJE PUBLIKE – Për të gjitha bizneset në Komunën e Prishtinës, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e Medias Elektronike të aplikojnë për mbështetje financiare.

1. Mediat në përputhje me këtë thirrje publike mund të aplikojnë me dokumentacion si më poshtë:

• Certifikata e regjistrimit të biznesit,

• Të jenë të regjistruar ne Komunën e Prishtinës,

• Pasqyrat financiare,

• Vërtetimi i pagesës së kontributeve pensionale të punëtorëve,

2. Ndarja e subvencioneve bëhet në bazë të madhësisë së mediumit, numrit të punëtorëve të ndara në tri kategori

• Mbi 50 punëtorë

• Mbi 8 punëtorë

• Nën 8 punëtorë

3. Vlera e përgjithshme e planifikuar është 100,000.00 (Euro).

Afati për dorëzimin e propozimeve është nga dt. 01.12.2020 deri më 08.12.2020, ora 16:00.

4. Kriteret për pjesëmarrje në thirrjen publike të subvencioneve:

• Të drejtë aplikimi kanë të gjithë bizneset mediale elektronike që janë në territorin e komunës;

• Të kenë mbi 2 vjet përvojë punë profesionale.

5. Propozimet dhe dokumentet e kompletuara duhet të dorëzohen në sportelet e pranimit të dokumenteve në objektin e Komunës së vjetër.

• Aplikacionet, të cilat nuk e kanë dokumentacionin të kompletuar do të diskualifikohen. Dokumentet nuk pranohen pas mbylljes së thirrjes publike. Dorëzimi i dokumentit të gabuar ose me pamje jo të qartë konsiderohet si mungesë e dokumentit.

• Do të konsiderohen për mbështetje financiare ato kërkesa që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë thirrje publike, dhe të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara sipas thirrjes publike.

Të gjitha çështjet që lidhen me thirrjen publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: [email protected]. Pyetjet mund të bëhen deri më dt. 10/12/2020./Gazeta Sinjali/