Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetarët tjerë të komunave ka thënë se kanë diskutuar më shumë për hapjen e shkollave.
Ahmeti ka treguar se ka mbetur që komunat të vendosin vet nëse do t’i hapin shkollat, varësisht nga situata me pandeminë.
“Më shumë ishte diskutim në lidhje me shkollat. Komunat do të vendosin sipas gjendjes në komunën e tyre”, ka thënë ai.
Për hapjen e mundshme të shkollave për vitin e ri mësimor në Prishtinë, Ahmeti ka folur me skepticizëm, duke treguar se me hapjen e e tyre “në të gjitha vendet e botës po shihet se po përhapet virusi”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Si kryetar i Prishtinës e kam ngritë çështjen që nuk e kemi sasinë më të vogël të informatave për shkollat në mënyrë që të kemi vendim se a me i hapë apo jo. Duhet t’i marrim këto vendime me kujdes. Duhet ta shohim mënyrën sesi duhet të ecim përpara. Të gjitha shtetet po tregojnë se me hapjen e shkollave ato storiet se nuk përhapet te fëmijët natyrisht që nuk janë të vërteta, sepse në çdo shtet po shihet se përhapet. Ndoshta e kalojnë më lehtë, por janë bartës të virusit që mund t’i infektojnë edhe të tjerët”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se “mbetet të mbajmë edhe takime tjera” për të vendosur lidhur me shumë çështje që janë diskutuar. /Gazeta Sinjali