Në “Ditën e Tokës”, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bën thirrje që të ruhet zona e përbashkët, meqë sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani.
Ahmeti konsideron se nuk është e mjaftueshme që të ruhet vetëm muret e shtëpisë dhe banesave tona.
Kështu është shprehur ai gjatë mbjelljes së disa fidanëve në lagjen Lakrishtë, derisa ka theksuar ky është një vit jubilar, meqë është 50- vjetori i shënimit të kësaj dite.
“Kemi dashur të tregojmë që në fakt në këtë kohë pandemie e COVID-it, nuk do të harrojmë këtë që është pjesë tepër e rëndësishme edhe për të ardhmen edhe për luftimin e pandemive. Besoj që nëse ka fat në fatkeqësi në këtë pandemi, e kemi vërejtur se çfarë do të thotë publikja apo e përbashkëta. Që muret e shtëpisë nuk mjaftojnë, që muret e banesës nuk mjaftojnë për ta jetuar një jetë normale. Por gjithmonë duhet të kërkojmë shoqëri dhe të ruajmë ata që është e përbashkët. Në këtë rast mendoj se nuk e kemi ruajtur fort të përbashkëtën dhe po duamë të tregojmë që sa më shumë duhet të mbjellim dhe kjo e përbashkëta është më e sigurt dhe më e shëndetshme”, tha ai.
I pari i kryeqytetit premtoi mbjelljen e 1 milion luleve dhe 5 mijë fidaneve gjatë këtij viti.
“Sivjet i mbjellim 1 milion lule, tashmë i kemi sepse i kultivojmë vet dhe do i mbjellim gjithandej nëpër Prishtinë, dhe diku rreth 5 mijë fidane drunj te cilat planifikojmë që në këtë sezon t’i mbjellim”, tha premtoi Ahmeti.
Ai u zotua se në rast se do të ketë mungesë buxhetore do të heqin asfalt e do të shtojnë drunjtë në hapësira publike.
E drejtori i “Hortikulturës”, Isak Rakovica bëri të ditur se çdo ditë po shtohen hapësirat gjelbëruese.
“Përmes lulishteve tona, përmes punëtorëve të kësaj ndërmarrje po prodhojmë lule dhe fidane. Po ashtu përmes komunës po marrim edhe fidane cilësore të cilat çdo ditë po rritet sipërfaqja gjelbëruese e krejt kjo duke iu falënderuar besimit dhe kontratave që kemi me komunën e Prishtinës. Sepse 202 punëtorë të kësaj ndërmarrje shpenzojnë 1 milion e 300 mijë paga vjetore “, u shpreh ai.
50 vite më parë, më 22 prill të vitit 1970, veprimtarë dhe shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, organizuan një mbrëmje vallëzimi për nder të planetit tonë dhe e quajtën ”Dita e Tokës”.
Kështu, për të parën herë, ngrihej shqetësimi për problemet e mjedisit. Në Avenunë e Pestë të New Yorkut me këtë rast u zhvillua një paradë dy-orëshe./Gazeta Sinjali/