Në takimin e sotëm ndërmjet kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe Kryetarit te PSD-se, Shpend Ahmeti u diskutua për gatishmërinë e këtyre dy subjekteve për shpërndarjen e Kuvendit me 22 gusht të këtij viti.
Sinjali merr vesh se në këtë takim poashtu është theksuar se është në interes të dy palëve klima e bashkëpunimit të hapur dhe të mirë e cila i shërben ballafaqimit me procese të rëndësishme pas përfundimit të zgjedhjeve.
“U konstatuan pikëpamje të afërta për çështjet zhvillimore, të investimeve dhe të forcimit të shtetit ligjor”, merr vesh Sinjali nga burimet brenda takimit.
Pas këtij takimi është deklaruar vetëm, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se me Mustafën janë marrë vesh që të shkojnë të gjithë në sallë në seancën e 22 gushtit, kur pritet të shpërndahet Kuvendi.
“U dakorduam që më 22 të jemi krejt në sallë për shpërndarjen e kuvendit”,
ka thënë Ahmeti.
Ai gjithashtu ka thënë se janë afruar me partinë e kryeministrit në largim,
Ramush Haradinaj.
“Kemi përafrim qëndrimesh me AAK-në, ndërsa LDK-ja është e interesuar të shkojë
e vetme në zgjedhje” ka thënë shkurt Ahmeti për mediat.
Para disa javësh, kryetari i LDK-së kishte shfaqur pasiguri nëse deputetët
do të shkonin në seancën e jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit të
paralajmëruar më 22 gusht
“Seanca nuk duhet të dështojë për mungesë të deputetëve ose të shumicës prej
2/3”, kishte shkruar mes tjerash Mustafa. /Sinjali