Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili sipas raportit të Institutit GAP është kryetari që ka përmbushur më së paku premtime nga premtimet e fushatës krahasur me kryetarët e komunave të tjera, duket se është një adhurues i madh i serialeve, shkruan Gazeta Sinjali.
Që kur është anëtarësuar në aplikacionin TV Time, aplikacion për adhuruesit e filmave dhe serialeve, deri tani, i pari i kryeqytetit ka shikuar 4 mijë episoda.
Këto statitika i ka publikuar vetë Ahmeti në profilin e tij në këtë aplikacion, i cili mbledh adhuruesit e serialeve.
Sipas këtyre statistikave, i pari i Prishtinës ka kaluar plotë 3 muaj, 26 ditë e 13 orë vetëm duke shikuar seriale. Ndërsa, 16 episoda Ahmeti i ka shikuar vetëm javën e fundit.
Mirëpo, Ahmeti nuk del kaq mirë kur vjen punë për mbajtjen e premtimeve elektorale. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, Ahmeti nuk ka filluar gati gjysmën e projekteve që ka premtuar në fushatë. Kështu, nga 81 premtimet, vetëm 21 prej tyre i ka përfunduar. /Gazeta Sinjali/