Pas vendimit për karantinimin e kryeqytetit, kryetari i komunës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se është duke u përpiluar një listë e bizneseve që do të lejohen të hapura dhe punëtorët e të cilave do të kenë leje të lëvizjes.
“Është duke u punuar në një listë të bizneseve që janë të lejuara të qarkullojnë gjatë kësaj periudhe të karantinës. Pra do të jetë lista e specifikuar për secilin biznes dhe punëtorët që do të kenë lirinë e lëvizjes. Nesër do ta kemi listën për të gjitha kodet për secilin biznes që është i lejuar të funksionojë. Edhe nesër vlen kufizimi i njëjtë që kemi pasur deri sot. Theksi shkon tek qytetarët që kanë nevojë të dalin, jo shëtitje. Pastaj do të presim, sepse jemi paralajmëruar që do të ketë masa tjera nga e hëna e tutje, dhe i presim ato masa”, ka thënë Ahmeti në një lidhje direkte në Facebook.
Ahmeti po ashtu ka thënë se nesër do të testohen edhe 40 persona që kanë pasur kontakt me rastet e konfirmuara.
“Nesër do t’i testojmë mbi 40 persona të cilët kanë pasur kontakt me rastet e konfirmuara. Nuk duhet tani të mendojmë se është bërë një shpërthim. Pra nuk e di si mund ta bëj më të qartë: Infektimet që i kemi marrë sot, janë sepse personat që nuk kanë pasë nevojë me dalë, kanë dalë prej shpisë”, ka thënë ai.
Po ashtu, Ahmeti ka treguar se do të ketë kontrolle në hyrje dhe dalje të Prishtinës.
“Do të kemi kontrolle policore në hyrje-dalje të Prishtinës. Ata që janë të fshatrave ata janë brenda territorit të Prishtinës. Nëse ka vendim tjetër, banorët e fshatrave janë të lejuar të lëvizin. Ndërsa personat tjerë duhet të jenë ose në listën e bizneseve. Ata që punojnë në Prishtinë, është mirë që të presin ministrinë e Tregtisë për të marrë vesh se cilat janë kodet që lejohen të lëvizin në Prishtinë”, ka përfunduar kryetari.
Kujtojmë se pak më herët janë konfirmuar 20 raste pozitive në komunën e Prishtinës./GazetaSinjali/