Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur shqetësime lidhur me pasojat ekonomike që mund të lë pas vetes pandemia Covid-19.
Ahmeti ka kritikuar subjektet politike të cilat thotë se nuk po negociojnë për një pako që do t’i adresonte nevojat për t’u përballur me pasojat ekonomike të pandemisë në vend, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nuk po mundem me e kuptu që nuk po ka hapësirë as me u taku subjektet politike për negociata për një pako të përbashkët. A duhet me ju thirr ndonjë ambasadë me ju bo bashkë? Kuptoni që këto kalkulime politike kanë pasoja në jetë njerëzish. Kfilluni!”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Më tej, Ahmeti ka theksuar se pakoja e parë ekonomike për të cilën thotë se po zbatohet në mënyrë gjysmake është e pamjaftueshme dhe se vonesat lidhur me pakon intervenuese ekonomike rrisin koston më vonë.
“Pra në qoftë se në fillim kanë qenë të nevojshme 100 milionë për intervenim, sot nevojitet një shumë tepër më e madhe për të arritur efektet e njejta si 100 milionëshi në fillim. Pakoja e parë ekonomike e cila po zbatohet në mënyrë gjysmake është e pamjaftueshme në qoftë se nuk duam të shohim krizë të zgjatur ekonomike”, ka përfunduar ai./GazetaSinjali/