Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 36 raste të vdekjes nga COVID-19, numri më i lartë i viktimave i shënuar që nga fillimi i pandemisë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, asnjë nga të vdekurit nuk ka qenë plotësisht i imunizuar me vaksinën antiCOVID.
“36 – tridhjetë e gjashtë. Gishtat drejtoni më vonë. Vaksinimi është dobësia jonë. Dallimi në mes të Kosovës dhe shteteve tjera me numër të ngjashëm infektimesh është përqindja e vaksinimit. Asnjë nga viktimat nuk ka qenë plotësisht i/e vaksinuar”, shkroi ai në Facebook.
I pari i kryeqytetit ka kërkuar nga qeveria që ta lë anash dialogun në këtë kohë dhe të bëjë vizita në shtetet që na ndihmojnë për të siguruar më shumë vaksina.
“Por edhe më tutje nuk kemi mjaftueshëm vaksina dhe nuk kemi mjaftueshëm vullnet për t’u vaksinuar. Lene dialogun, vizita gjithandej nëpër miq që na japin vaksina – Turqi e Izrael e cilido shtet që na ndihmon. Masa të rrepta afatshkurta për ta ngadalësuar infektimin e vaksinim masiv për ta shpejtuar mbrojtjen. Rrugë tjetër nuk ka. Hesape qerojmë më vonë”, përfundoi Ahmeti./Gazeta Sinjali/