image AGK shënon 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit nën moton “Blackout May”

Sociale

AGK shënon 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit nën moton “Blackout May”

news image

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) së bashku me Misionin e OSBE-së në Kosovë, Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin OKB-së në Kosovë, ka shënuar 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “Blackout May”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, shefi i OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport, u adresua mediave duke u bërë thirrje që ta luftojnë keqinformimin duke raportuar drejt dhe bazuar në fakte.

“Publiku mbështetet në profesionistët e mediave për të dhënë informata të sakta dhe për ta luftuar  keqinformimin, bazuar në raportimin etik dhe me bazë në fakte. Kohët kritike si këto u bëjnë thirrje pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që ta ushtrojnë ndikimin e tyre me përgjegjësi dhe qeverive që t’i krijojnë kushtet e duhura për këtë”, ka thënë ai.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u adresua përmes një thënie ku tha se sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj vetë demokracisë.

“Një shtyp i gjallë, i lirë – që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë – është përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme. Gazetarët e meritojnë respektin dhe mbrojtjen tonë. Kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre janë sulme ndaj vetë demokracisë”.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, Lars-Gunnar Wigemark – , gjatë fjalimit të tij tha se liria e medieve nuk duhet të merret e mirëqenë, por duhet të mbrohet si njëra nga shtyllat kryesore të shoqërisë.

“Liria e medias është në themel të një sistemi demokratik dhe si e tillë, ajo kurrë nuk duhet të merret si e mirëqenë, por përkundrazi duhet të ushqehet dhe mbrohet si një ndërtesë e një shoqërie më të mirë për të gjithë”.

Para të pranishmëve për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, u adresua edhe Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, e cila theksoi se klima e të bërit gazetari po vazhdon të rëndohet nga viti në vit.

“I keni parë edhe vetë ju, me sa lehtësi sulmohen fizikisht kolegët tanë, ne mes të ditës, e në qendër të Prishtinës. Për shumicën e sulmeve nga organet e drejtësisë e kemi përgjigjen e zakonshme “ hetimet vazhdojnë”, “jemi në rrugë të mirë për ndriçim të rastit” e të ngjashme.. Derisa kemi përgjigje të njëjta nga viti në vit, klima e të bërit gazetari po rëndohet.  E përderisa ky realitet vazhdon neve shoqërisë civile, gazetarëve, e mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë na mbetet që të vazhdojmë ta ngrisim zërin për domosdoshmërinë e përmirësimit të klimës së të bërit gazetari”.

Në këtë 3 maj, u përkujtuan edhe gazetarët e vrarë dhe të pagjetur gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, ku iu kërkua institucioneve përkatëse që e vërteta për ta të ndriçohet sa më parë, nën sloganin “Të vërtetën e keni para syve”./Gazeta Sinjali/