Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e gazetarit dhe dramaturgut, Haqif Mulliqi.
“Veprimtarinë e tij si gazetar e kishte filluar në gazetën Bota e Re, (1983 – 1990), duke vazhduar në gazetën Fokus në Kroaci (1992), gazetën Potlet në Zagreb (1988 -1991), e më pastaj edhe si redaktor e korrespodent edhe në shumë gazeta e revista të tjera vendore dhe ndërkombëtare”, shkruan AGK-ja.
Mulliqi gjithashtu ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë, si dhe në Fakultetin e Arteve.
“Ai la pas vetes një krijimtari të gjerë në gazetari, publicistikë e dramaturgji. Gjithashtu, kontribut të jashtëzakonshëm, Mulliqi ka dhënë gjatë viteve 1998-99, në raportimin gjatë luftës në Kosovë”, thuhet tutje.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.