Agjentët e yllit të Real Madridit, Marco Asensio kanë konfirmuar interesim nga Milani dhe Arsenali, transmeton Sinjali Sport.
Reprezentuesi spanjoll kaloi disa ditë në Itali gjatë pushimit ndërkombëtar duke ndezur spekulimet për një lëvizje të mundshme në Stadio Meazza.
Milani është në marrëdhënie shumë të mira me Real Madridin pas nënshkrimeve të fundit të Brahim Diaz dhe Theo Hernandez. Sipas ‘Sportmediaset’, agjentët e lojtarit janë takuar me drejtuesit e Milanit disa javë më parë dhe përfaqësuesit e Asensio kanë konfirmuar interesimin e ‘kuqezinjve’.
“Ne jemi krenarë për interesimin e Milanit. Kuqezinjtë janë një opsion edhe nëse ka oferta nga disa klube angleze, përfshirë Arsenalin. Ne jemi të gatshëm të vlerësojmë çdo opsion.”
Milani do të jetë në kërkim të një anësori të ri sulmues dhe një mesfushor sulmues gjatë verës. Kontrata e Asensio skadon në qershor 2023 dhe Real Madrid thuhet se i ka ofruar atij 5 milionë euro në vit plus shtesa. Sipas raportit, ata presin një përgjigje para fundit të sezonit, por Asensio nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij.
26-vjeçari po pret të dijë nëse Kylian Mbappé do të transferohet në Bernabeu si agjent i lirë në fund të sezonit dhe, nëse kjo ndodh, ai mund të vendosë të largohet për të marrë më shumë kohë lojë diku tjetër.