image Agjencia reagon pas dëmtimit të “Kullës së Zahir Pajazitit”, kërkon hetime nga Policia

Kosovë

Agjencia reagon pas dëmtimit të “Kullës së Zahir Pajazitit”, kërkon hetime nga Policia

news image

Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale ka kërkuar nisjen e hetimeve pas dëmtimit të objektit përcjellës në Kompleksin Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan të Podujevës.

Përmes një njoftimi, Agjencia ka bërë të ditur se pas pranimit të raportit për dëmtimet, më 6 korrik 2026 ka dorëzuar kërkesë për inicimin e hetimeve në Policinë e Kosovës, përkatësisht në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë dhe në Stacionin Policor në Podujevë.

Sipas institucionit, dëmtimi apo cenimi i monumenteve dhe objekteve të mbrojtura kulturore, historike dhe fetare përbën vepër penale, bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

Agjencia ka njoftuar gjithashtu se është duke u realizuar projekti për intervenime emergjente në komplekse memoriale, varreza të dëshmorëve dhe martirëve, ku përfshihet edhe Kompleksi Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan.

Qëllimi i këtij projekti është ruajtja dhe përmirësimi i gjendjes së kompleksit, ndërsa në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse do të shqyrtohen mundësitë për sanimin e dëmtimeve të shkaktuara.

Agjencia ka bërë të ditur se për zhvillimet e ardhshme do të informojë opinionin publik pas marrjes së raportit zyrtar nga organet e rendit dhe institucionet kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/