Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC).
Këtë e ka bërë të ditur Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA).
Komiteti Ekzekutiv, që është forumi drejtues i organizatës dhe ku Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është anëtare e tij prej majit të vitit 2021, i mbledhur këtë të martë, pas shqyrtimit të dokumentacionit përkatës ka marrë vendimin unanim për pranimin e kandidaturës së AIP-së.
Sipas zyrës së Komisionerit, ky është një tjetër hap i rëndësishëm për autoritetin e Kosovës në rrugën e tij për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare të fushave të përgjegjësisë, me qëllim përfitimin e eksperiencës në zbatimin e standardeve më bashkëkohore për ushtrimin praktik të të drejtave të qytetarëve.
“Zyra e Komisionerit e ka mbështetur dhe do të vijojë t’i mbështesë këto përpjekje të AIP, jo vetëm për shkak të marrëdhënies së veçantë institucionale, por edhe si një nga angazhimet e parashikuara në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në Tiranë në prill të 2022”, thuhet në njoftimin e ATA-së.
Në këtë mbledhje, Komiteti Ekzekutiv ka miratuar edhe anëtarësimin me të drejta të plota në ICIC të Komisionerit të Informimit të Pakistanit dhe si vëzhgues, Shërbimin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Gjeorgjisë.
Me këtë vendimmarrje, shkon në 80 numri i autoriteteve kombëtare/rajonale anëtare dhe 2 me statusin e vëzhguesit në këtë organizatë nga të gjithë pjesët e globit (Evropa, Amerika, Afrika, Azia dhe Oqeania).