Agim Bahtiri, kryetari i Komunës së Mitrovicës, ka akuzuar djalin e vëllait të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, Hylmi Veselin se sipas tij kishte penguar hapjen e shkollës “Ismail Qemaili” në Mitrovicë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se veprimet banditeskte të këtij grupi që sipas tij udhëhiqet nga djali i vëllait të Kadri Veselit u kundërshtua nga prindërit e fëmijëve të cilët sipas tij u traumatizuan nga këta bandit.
“Një grup i militantëve të PDK-së që është udhëhequr nga Hylmi Veseli, djali i vëllait të Kadri Veselit, kanë tentuar në mënyrë të dhunshme të më pengojnë në hapjen e shkollës, por që nuk i’a kanë arritur. Veselët nuk mund të më ndalin dot, ashtu siç nuk kanë mundur asnjëherë”, ka shkruar ai.
Bahtiri thotë se PDK-ja e ka përjetuar rëndë aderimin e tij dhe degës së AKR-së në Lëvizjen Vetëvendosje, por sipas tij, askush në botë nuk mund t’ia diktoj punën e tij dhe ta frikësoj.
“Unë do ta vazhdoj rrugën time, pa pavarësisht sfidave që më dalin. Uraganin e fitores së 6 tetorit dhe bërjen e Albin Kurtit kryeministër nuk mund ta ndalë askush, sepse qytetarët e kanë kuptuar se vetëm ai mund ta ndalë krimin dhe korrupsionin”, ka shkruar ai.