Adelina Ismaili, ka rrëfyer tërë karrierën e saj, qysh nga fëmijëria e hershme në vitet e 80-ta, e deri në ditët e sotme kur ajo po përpiqet t’i kushtohet familjes.
Por një “Divë” siç është Adelinia, vështirë të shkëputet nga jeta publike.
Në televizionin T7 ajo ka evokuar kujtime të shumta qysh nga fillimet e karrierës e deri në shpërthimet e saj përmes hiteve të shumta.
E një hit i padiskutueshëm i Adelina Ismailit, është kënga “Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën”.
Adelina ka rrëfyer se frymëzimi i saj për t’i kushtuar këngë Rugovës erdhi pas bisedave të shumta që kishte dëgjuar mes njerëzish dhe në familje për figurën e tij. Ajo e kishte takuar Rugovën për herë të parë kur ishte në moshën 14 vjeçare.
“Rugovën e kam takuar për herë të parë në moshën 14 vjeçare… shpërthej Ibrahim Rugova, isha shumë e re dhe dëgjoja nga të mëdhenjtë tu diskutu qysh erdh shpëtimi, ka me e bo shtetin… kur i ki 14 vjet sa të pëlqen kjo bisedë. U patë bo një lloj mode me shku me e taku Rugoven, e di që ju kemi lutë mamit me e pa Rugovën, sepse u patë kriju një legjendë për figurën e tij. Mami përmes Shoqatës së shkrimtarëve pati bë termin. Unë u fascinova shumë me të, ai më njohu mua si këngëtare”, ka treguar ajo.
Adelina ka treguar se si e kishte komentuar presidenti i ndjerë këngën “Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën”
“Më ka thënë Adelinë po më futë në borxh të madh se po më këndon për së gjalli… i thash nuk po hy borxh se çkado që bon pas këtij momenti nuk mundet me konë më shumë se që ke bo deri tash”, ka rrëfyer këngëtarja.
Këngëtarja Ismaili ka treguar se pas këngës që i kishte dedikuar ushtrisë së Rugovës, kishte marrë kërcënime të shumta dhe nga më të ndryshmet./Sinajli/