Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar të hënën në Fushë Kosovë, ku Policia ka ndaluar dy persona, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas kontrollit policor, te dy të rinjtë, Policia ka arritur të gjejë sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.
Droga është sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.