image Abuzimi me drogën: Policia e kap në flagrancë me marihuanë shoferin e një veture në Gjakovë

Siguri

Abuzimi me drogën: Policia e kap në flagrancë me marihuanë shoferin e një veture në Gjakovë

news image

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në Shkukëz të Gjakovës, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas kontrollit policor, te shoferi i dyshuar, Policia ka arritur të gjejë një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

/GazetaSinjali/