image Abuzim me drogë dhe armë ilegale, 19-vjeçari në Prishtinë kapet në flagrancë nga Policia

Siguri

Abuzim me drogë dhe armë ilegale, 19-vjeçari në Prishtinë kapet në flagrancë nga Policia

news image

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ndodhi edhe të hënën në rrugën “Bedri Gjini” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar një 19-vjeçar, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te i dyshuari, zyrtarët policorë pas kontrollit policor kanë gjetur një sasi të marihuanës dhe një mjet të mprehtë.

Droga dhe arma e ftohtë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

/GazetaSinjali/