image Abrashi: Kurti shkaktoi krizë për t'i ikur përgjegjësisë shtetërore

Kosovë

Politikë/ Abrashi: Kurti shkaktoi krizë për t’i ikur përgjegjësisë shtetërore

news image

Sekretari organizativ, njëherit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka shkaktuar krizë politike për t’u ikur pëgjegjësive shtetërore, si dhe për t’i fshehur raportet e tendosura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Përpjekja e Kurtit për t’u fshehur prapa gjendjes së pandemisë është e kotë, ai shkaktoi krizën në koalicion për t’i ikur përgjegjësive shtetërore dhe në përpjekje për të fshehur raportet e tendosura me aleatët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Deputeti i LDK-së ka thënë se partia e tij nuk e zëvendëson partneritetin dhe miqësinë me Amerikën dhe BE-në me projekte të izolimit dhe kapitullimit të shtetit.

Sipas tij qytetarët po kërkojnë unitet politik në këtë kohë, por ai vlerëson se ky unitet nuk mund të arrihet me ata që, thotë ai, bëjnë linçime, sulme fizike e fushata denigruese.

“Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme lidhur me virusin COVID 19, është e natyrshme që qytetarët të kërkojnë unitet politik dhe më shumë tolerancë ndërmjet partive politike. Mënyra më e mirë për të kërkuar unitet është duke treguar tolerancë me shembullin personal, nëpërmes ofrimit të opsioneve, ashtu siç ka bërë LDK-ja dhe kryetari Mustafa, duke ofruar vazhdimisht mundësi bashkëpunimi me VV-në. Por, nuk mund të kërkohet unitet e tolerancë, nga ata që bëjnë kërcënime, linçime, shpallje tradhtarësh, sulme fizike ndaj gazetarëve, dhe fushata denigruese në rrjetet sociale ndaj personaliteteve politike dhe shtetërore”, thotë sekretari organizativ i LDK-së.

Tutje, ai vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje që është partner qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka për qëllim unitetin, por keqpërdorimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Sot ishim dëshmitarë të një organizimi e orkestrimi të një ushtrie “virtuale” kundër LDK-së dhe Kryetarit Mustafa, me një orientim të dalluar; në secilën deklaratë, koment e postim është vërejtur gjuhë e urrejtjes, ‘urime për vdekje’, thirrje për linçime etj, që tregon, se partnerët tanë politikë, nuk e kanë për qëllim unitetin, por në fakt vetëm keqpërdorimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri Kurti, bën mirë të na tregoj nëse është pjesë e këtij organizimi? Nëse jo, pse nuk ndërmerr masa ndaj atyre që keqpërdorin emrin e tij?”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

Kujtomë që Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pasi kryeministri e shkarkoi nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, pa një marrëveshje paraprake me partnerin e koalicionit. Mocioni i mosbesimit i cili mori përkrahjen edhe të partive të tjera opozitare pritet të votohet në kuvend javëve në vazhdim./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/arban.abrashi/posts/3029985713687243