Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka mohuar se Dhomat e Specializuara e kanë bastisur ministrinë të cilën ai e ka drejtuar.
Sipas tij, initervistimi ka qenë për shkak të financimeve nga Qeveria e Kosovës për personat e ftuar nga Gjykata Speciale.
Tahiri ka thënë se janë ftuar pesë persona nga Ministria e Drejtësisë, katër dëshmitarë edhe Driton Lajçin si i dyshuar.
“Intervistimi ka qenë krye-këput për financimin e personave të cilët kanë marrë financa nga Qeveria e Republikës se Kosovës edhe për rregullore të cilat i kemi miratuar në qeveri që lidhen me atë. E them me përgjegjësi të plotë, nuk ka pasur asnjëherë bastisje në Ministrinë e Drejtësisë nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Speciale është deklaruar për pagesat e bëra nga Qeveria e Kosovës për personat e ftuar nga kjo gjykatë.
“Sikur të kishte pasur duhet të ishte bastisur zyra ime, sepse është zyra kyqe që e ka bërë secilin veprim kabineti i ministrit. Nuk është bastisur as njëherë, janë ftuar pesë zyrtarë që punojnë aty. Janë intervistuar. Dritonin si të dyshuar, ndërsa katër të tjerë si dëshmitarë. Unë si ministër i Drejtësisë në cilësinë e të dëshmitarit. Unë kam diskutuar rreth pagesave dhe ligjeve”, ka thënë Tahiri. /Gazeta Sinjali/