Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për paqen, solidaritetin dhe dashurinë ndërnjerëzore, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku shprehu urimet më të përzemërta për mirësi dhe gëzim në familjet e qytetarëve.
“Kjo ditë e sakrificës, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit le të na shërbejë si reflektim e kujtesë për vlerat më të larta njerëzore, përkushtimin ndaj Krijuesit, dashurinë për njëri-tjetrin, dhe gatishmërinë për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë,” shkroi ai.
Kreu i LDK-së uroi gjithashtu shëndet, lumturi dhe begati për të gjithë, duke shprehur besimin se harmonia dhe mbarësia do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyes në shoqërinë kosovare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!