Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se është arritur dakordim që në zgjedhjet e 7 qershorit të garojnë së bashku me Vjosa Osmanin.
“Me votim në këtë trup u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar proceset. Pikë ishte edhe bashkimi i madh për të cilin jemi angazhuar, i njoftova me procesin. U dakorduam të formalizojmë me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.
Ai tha se një nga temat kryesore të mbledhjes ishte edhe ajo që e quajti “bashkimi i madh”, për të cilin, sipas tij, LDK-ja është angazhuar në periudhën e fundit.
“Pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe natyrisht bashkimi i madh për të cilin po flasim e për të cilin jemi angazhuar”, deklaroi ai.
Abdixhiku tha se anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve janë informuar për procesin e deritanishëm të diskutimeve. Ai shtoi se në mbledhje ka pasur dakordim për ta çuar përpara idenë e garimit të përbashkët me Osmanin.
“I njoftova edhe Kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm. Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se diskutimet me Osmanin ende duhet të finalizohen para se marrëveshja të marrë formën përfundimtare në organet e LDK-së.
“Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, u shpreh ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!