Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në një takim njoftues ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Gjatë këtij takimi, Abdixhiku e uroi ambasadorin për marrjen e detyrës së re dhe i dëshiroi suksese në mandatin që ka përpara.
Sipas njoftimit të LDK-së, biseda ndërmjet dy zyrtarëve është fokusuar në zhvillimet aktuale politike në vend, sfidat dhe mundësitë që ndodhen përpara, si dhe rolin që OSBE ka luajtur ndër vite në ndërtimin institucional të Kosovës.
“Kryetari Abdixhiku prezantoi vizionin dhe qëndrimet e LDK-së për adresimin e situatës politike, përfshirë edhe propozimin për krijimin e një qeverie të unitetit. Në këtë takim, Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, veçanërisht në fushat e forcimit të institucioneve demokratike, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, promovimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore”.
Tutje, palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet LDK-së dhe OSBE-së, sidomos në fushën e forcimit të demokracisë dhe përfshirjes qytetare në jetën publike.
“Po ashtu u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet LDK-së dhe OSBE-së në Kosovë, me fokus në avancimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe promovimin e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike. Kryetari Abdixhiku theksoi gatishmërinë e LDK-së për të kontribuar në thellimin e bashkëpunimit me OSBE-në dhe miqtë ndërkombëtarë që mbështesin rrugëtimin demokratik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.