image Abdixhiku: Në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm

Politikë

Abdixhiku: Në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm

news image

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka regjistruar një tjetër paraqitje televizive.

Sonte, në Debat Plus ai foli për një mori çështjesh aktuale dhe ato potenciale, duke treguar planin e tij se si do t’ia bënte nëse do të ishte në qeveri.

Veç kësaj, ai hodhi kritika ndaj kryeministrit Kurti rreth asaj që nuk po merret fare me çështje të mëdha, por me të vogla, siç e potencoi rastin e djegies së veturës.

Në pjesën e fundit ndërkaq, ai foli edhe për largimet e deputetëve nga radhët e VV-së, njëherit kundërshtarë, duke thënë se është i lumtur me këtë fakt.

Fillimisht foli për situatën brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, ata janë kuadro të shquara që po angazhohen për të mirën e vendit.

“Në LDK unë kam gjetur njerëz profesionistë. Njerëz që janë të gatshëm të punojnë për të mirën, për të ardhmen e këtij vendi. Mburrem që jam pjesë e LDK-së, parti e cila operon në 33 vitet e fundit. Ajo çka më turpëron është fakti se si një parti ka mbetur në këtë përqindje. Pra, shkoj në séance, e shoh Lidhjen në veç tri radhë”.

Tutje, i pari i partisë më të vjetër në vend foli edhe për udhëheqjen e deritanishme të Kurtit, duke thënë se po sillen si një MPB, pra me shkop.

Këtu nuk nguroi edhe ta thumbojë, duke pohuar se në rastin më të mirë, Kurti mund të jetë ministri i tij i brendshëm.

“Kur një qeveri s’bën punë as në politikë, as në arsim, as në shëndetësi, as në politikë të jashtme, as në infrastrukturë, as në politikë të brendshme dhe kur i gjithë roli i saj reduktohet në le të themi, në një shkop polici dhe kështu duket që janë, si një ministri e punëve të brendshme, me kaq përfundon puna e qeverisë. Një MPB. Pra, në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm”, ka thënë Abdixhiku.

/GazetaSinjali/