Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kërkesave për dorëheqjen e tij të bëra publikisht nga kryetarët e degëve të partisë në Pejë dhe Lipjan, duke i akuzuar ata për sabotim dhe përpjekje për përçarje të partisë.
Përmes një reagimi publik, Abdixhiku tha se i falënderon dy kryetarët për sugjerimet e tyre, por vlerësoi se do të kishte qenë më korrekte që këto kërkesa t’ia shprehnin drejtpërdrejt dhe jo përmes mediave.
Ai pranoi se rezultati zgjedhor në degët e Pejës dhe Lipjanit nuk ka qenë i kënaqshëm, por theksoi se fakti që LDK ka dalë e treta në komuna ku qeveris, sipas tij, dëshmon për “një sabotim të thellë dhe një projekt që nuk është i LDK-së”.
Abdixhiku rikujtoi se çështjen e dorëheqjes së tij e kishte trajtuar në Kuvendin e partisë më 31 janar, duke shtuar se anëtarësia kishte folur qartë për këtë çështje. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi dorëheqjen morale të kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan për performancën e dobët dhe rezultatin më të ulët ndër vite, duke deklaruar se do t’i pranonte ato menjëherë.
Kreu i LDK-së u zotua se nuk do të lejojë që, sipas tij, projektet për ndarjen e partisë të marrin formë, duke theksuar se LDK mbetet një parti kombëtare dhe jo “konfederatë interesash lokale apo platformë karrierash individuale”.
Në fund të reagimit, Abdixhiku u bëri thirrje anëtarëve të ruajnë qetësinë në këtë periudhë, duke shprehur keqardhje që, sipas tij, në momente të rëndësishme për partinë dhe vendin, dëmtimi nga brenda vazhdon të jetë synim. Ai e mbylli reagimin me pyetjen retorike: “Si nuk u ngopën kurrë?”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!