Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë të mbahet këtë të enjte, pasi janë përmbyllur procedurat statutare për verifikimin e kërkesës së paraqitur nga delegatët.
Sipas njoftimit zyrtar të LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm ka shqyrtuar dhe verifikuar të gjitha nënshkrimet e dorëzuara, duke konfirmuar se është plotësuar kushti statutar që kërkon mbështetjen e të paktën një të tretës së delegatëve të Kuvendit për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme.
Në bazë të këtij verifikimi, Kuvendi i Jashtëzakonshëm është caktuar të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 18:00.
LDK thekson se i gjithë procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe respektim të vullnetit të delegatëve, si pjesë e angazhimit për një proces demokratik dhe institucional.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!